Shefi i OKB-së informon presidentin turk për takimet e tij me Putin dhe Zelensky

Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, tha të shtunën zyra e presidencës për media, ku ata diskutuan zhvillimet në luftën në Ukrainë.

Guterres e informoi Erdoganin për takimet e tij këtë javë në Moskë dhe Kiev, sipas një deklarate nga Drejtoria Turke e Komunikimeve.

Gjatë telefonatës, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të mbështesë punën e udhëhequr nga OKB si për evakuimet ashtu edhe për ndihmën humanitare.

Duke thënë se ata do të vazhdojnë të inkurajojnë si Ukrainën ashtu edhe Rusinë që të veprojnë në sens të përbashkët për pajtim, Erdogan tha se do të ndjekin paqen, thuhet në deklaratë.

Guterres tha përmes Twitter të premten se OKB-ja do të dyfishojë përpjekjet e saj për të shpëtuar jetë dhe për të zvogëluar vuajtjet njerëzore në Ukrainë, raporton CNN.

Postimi i tij në Twitter erdhi pas vizitës së tij në Ukrainë dhe takimit me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky të enjten pas një vizite në Moskë, ku ai u takua me Presidentin rus Vladimir Putin të martën. 

Presidenti turk ka zhvilluar më parë telefonata me homologët e tij rusë dhe ukrainas me shpresën për t’i takuar të dy në Stamboll për t’i dhënë fund konfliktit.

Turqia ka një profil dhe pozicion unik, si një anëtare e NATO-s, e cila gjithashtu ka kufij detarë me Ukrainën dhe Rusinë. Turqia është gjithashtu partneri më i madh tregtar i Rusisë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Vendi ka konkurruar dhe bashkëpunuar me Rusinë përmes zonave të konfliktit në Siri, Libi dhe Nagorno-Karabakh në vitet e fundit.