Shefi i NATO-s vdekjen e civilëve në Bucha e quan brutalitet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar në lidhje me masakrën e shkaktuar nga forcat ruse në qytetin Bucha të Ukrainës.

Stoltenberg vdekjen e civilëve e ka quajtur të papranueshme.

Duke folur për CNN, ai tha se vdekjet ishin një brutalitet kundër civilëve që nuk është parë në Evropë për dekada dhe se kjo nënvizon rëndësinë që kjo luftë duhet të përfundojë.

Stoltenberg bashkohet me liderët botërorë në dënimin e skenave në zonat e lëna pas nga forcat ruse pas tërheqjes së tyre nga disa qytete përreth Kievit.

Në vazhdën e tërheqjes së Rusisë nga Bucha, ka pasur raporte të shumta për kufoma të gjetura të veshura me veshje civile.