Shefi i NATO-s thotë se beson se lufta do të mbarojë në tryezën e negociatave

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se ai pati një “takim të shkëlqyeshëm” me presidentin amerikan Joe Biden, zëvendëspresidentin Kamala Harris dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Stoltenberg përgëzoi SHBA-në për udhëheqjen dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës dhe udhëheqjen në mbështetje të aleancës transatlantike, shkruan CNN.

Mbështetja e SHBA-së “po bën një ndryshim në fushën e betejës çdo ditë”, tha ai.

“Presidenti Putin donte më pak NATO dhe për këtë arsye ai pushtoi Ukrainën, por ai po merr më shumë”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas takimit.

Ata diskutuan gjithashtu përgatitjet për samitin e fundit të qershorit të NATO-s në Madrid, për të cilin ai tha se “bëhet në një kohë kyçe për sigurinë”. Ai tha se mezi priste të mirëpresë Biden në Spanjë.

I pyetur nga CNN në lidhje me vlerësimin e tij për përfundimin e pushtimit rus në Ukrainë, ai tha, “luftërat janë, nga natyra, të paparashikueshme dhe për këtë arsye ne thjesht duhet të jemi të përgatitur për një kohë të gjatë”.

Ai shtoi se ajo është kthyer në një “luftë rrënimi”, ku ukrainasit “po paguajnë një çmim të rëndë për mbrojtjen e vendit të tyre në fushën e betejës”, por gjithashtu “Rusia po merr shumë viktima”.

Kujtojmë që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë ditës së sotme ka konfirmuar se trupat ruse kanë nën kontroll 20 për qind të Ukrainës./Shqip.com