ShBA vazhdon me sanksione ndaj Rusisë, ndalon importin e këtyre mallrave

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar për sanksionet e të mëtejshme ndaj Rusisë për ta ndëshkuar atë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Ai sapo ka njoftuar ndalimin e importeve të alkoolit rus, ushqimeve të detit dhe diamanteve, lëvizje të cilat synojnë të ushtrojnë presion mbi ekonominë e Moskës duke synuar disa nga eksportet e saj më të vlefshme.

“Ne po ndalojmë mallrat nga disa sektorë të njohur të ekonomisë ruse”, tha Biden.

Ai njoftoi gjithashtu se SHBA do të shtojë emrat e disa oligarkëve rusë në listën e individëve të sanksionuar, raporton BBC.

Biden paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të ndjekë një luftë që kërcënon vetë themelet e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, dhe më pas të kërkojë ndihmë financiare nga komuniteti ndërkombëtar”.