SHBA fut në listën e zezë kompanitë ruse të ndërtimit të anijeve dhe diamantit

Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur zyrtarisht në listën e zezë dy biznese ruse – një minierë diamanti dhe një ndërtues anijesh – duke i ndaluar aksesin e tyre në sistemin financiar amerikan.

Sanksionet e fundit synojnë ndërmarrjet shtetërore ruse, United Shipbuilding Corp dhe kompaninë e minierave të diamantit Alrosa.

“Përmes këtyre përcaktimeve, Thesari po ndërpret burimet shtesë të mbështetjes dhe të ardhurave për Qeverinë e Federatës Ruse për të zhvilluar luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës”, thanë zyrtarët amerikanë në një deklaratë për shtyp ..

Alrosa është kompania më e madhe e minierave të diamanteve në botë, duke zënë 28% të minierave globale të diamanteve, thuhet në deklaratën e SHBA, duke shtuar se në vitin 2021 Alrosa gjeneroi mbi 4.2 miliardë dollarë të ardhura.

United Shipbuilding Corp është “përgjegjëse për ndërtimin e pothuajse të gjitha anijeve luftarake të Rusisë”, shtohet në deklaratën e SHBA.