Sefaj: Është mirë me i tregu dikush kontabilistit se ai s‘ka kompetencë me i ndalë pagat e mësimdhënësve

Anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj ka reaguar lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

Përmes një reagimi në Facebook, ai ka deklaruar se Ministri i Financave, Hekuran Murati nuk ka kompetencë me i ndalë pagat e punëtorëve të arsimit.

Por këtë të fundit, Sefaj e ka quajtur kontabilist.

“Është mirë me i tregu dikush kontabilistit se ai s‘ka kompetencë me i ndalë pagat e mësimdhënësve, sepse ai nuk është punëdhënësi, punëdhënës janë komunat. MFPT duhet mi ekzekutu pagat dhe në rast të dyshimeve mundet me kërku prej auditorit që ti auditoj lendet ( listat e dorëzuara nga komunat)”, ka shkruar Sefaj.

Më tutje Sefaj është shprehur se kjo përveç që është ndërhyrje në kompetencat e pushtetit lokal është abuzim flagrant më detyrën zyrtare duke shkelur disa ligje.

A ka prokurori ky shtet, apo secili mundet me ba çka ti vjen për doresh?, ka pyetur Sefaj.

Ndërsa sot gjatë ditës, Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se kush punon edhe duhet të paguhet.

Përmes një përgjigje për Kosovapress, Murati tha se patjetër që duhet të respektohet obligimi ligjor që sipas tij ‘kush punon edhe duhet të paguhet’.

“Sipas ligjit. Çka do që thotë ligji, dhe ligji thotë se kush punon duhet të paguhet dhe patjetër që duhet ta respektojmë këtë obligim ligjor”, tha Murti.

Kujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve nuk ka proceduar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit në Kosovë.

Kjo ka ngjallur pakënaqësi në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës si dhe edhe në opozitë.

Po ashtu, kundër këtij vendimi që të mos ekzekutohen pagat për mësimdhënësit që kanë qenë në grevë, kanë dal edhe disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në pushtet.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të hënën ka deklaruar se do të presin Qeverinë deri me datë 5 tetor, në të kundërtën do të jenë të detyruar të veprojnë ndryshe. Ai theksoi se veprimet mund të jenë edhe më të rënda nga ana e SBASHK-ut, në rast se pagat nuk ekzekutohen./Shqip.com