Scholz vazhdon importin e energjisë nga Rusia

Kancelari gjerman, Olaf Scholz

Me veprimet gjithnjë e më brutale të Rusisë, Ukraina po bën thirrje për sanksione më të ashpra. Një mundësi do të ishte ndalimi i të gjithë importeve të gazit dhe naftës ruse.

Por nga Kancelaria gjermane vjen një refuzim i qartë. Gjermania dëshiron të vazhdojë të mbështetet në importet e energjisë nga Rusia, raporton NTV.

Kancelari Federal Olaf Scholz tha: “Furnizimi i Evropës me energji për prodhimin e nxehtësisë, lëvizshmërinë, furnizimin me energji elektrike dhe industrinë nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë tjetër për momentin”.

Energjia nga Rusia është e një rëndësie thelbësore për jetën e përditshme të qytetarëve, sipas politikanit të Partisë Socialdemokrate gjermane.

Prandaj, Evropa e ka përjashtuar qëllimisht furnizimin me energji si pjesë e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Qeveria gjermane ka punuar shumë me partnerët e saj brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë për muaj të tërë për të zhvilluar alternativa ndaj energjisë ruse, vazhdoi Scholz.

“Por kjo nuk ndodh brenda natës. Prandaj, është një vendim i menduar i yni që të vazhdojmë aktivitetet e ndërmarrjeve tregtare në fushën e furnizimit me energji me Rusinë”.

Në të njëjtën kohë, kancelari siguroi se Gjermania mirëpret të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës me sanksione të gjera dhe me shënjestruar.

Sanksionet kundër institucioneve financiare ruse, bankës qendrore dhe më shumë se 500 individëve flasin vetë. “Të gjithë hapat tanë janë të dizajnuar në atë mënyrë që të godasin rëndë Rusinë dhe të jenë të qëndrueshëm në afat të gjatë”, theksoi Scholz.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi kishte bërë thirrje për sanksione të mëtejshme dhe më të ashpra kundër Rusisë për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj vendit të tij. Ajo që nevojitet është bojkotimi i eksporteve ruse dhe si rrjedhojë edhe heqja dorë nga nafta dhe gazi natyror nga Rusia.