Rusia vazhdon me propagandën e njëjtë: Kosova është kërcënuese e paqes në rajon

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit që po zhvillohet në OKB, rreth raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për situatën në Kosovë, ka nxitur reagimin e përfaqësuesit të Rusisë.

Paraprakisht në fjalën e saj, ministrja e Punëve të Jashtmë të Kosovës, Donika Gërvalla, i ndërlidhi veprimet e presidentit të Serbisë, me ato se çka është duke bërë Putin në Ukrainë.

Kjo bëri që përfaqësuesi i Rusisë, të filloj fjalimin e tij me propagandën e vjetër se Kosova po e kërcënon paqen në rajon.

Ai gjithashtu tha se është mirë që Gërvalla të mos bëjë analiza gjeopolitike.

“Kosova vazhdon të kërcënoj paqen në rajon. Që nga viti 1999 ka pasur një spastrim etnik ndaj popullatës serbe. Kanë qenë rreth 40 mijë serbe në Prishtinë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 100”, tha ai.

Mes tjerash, përfaqësuesi i Rusisë ka përmendur edhe moszbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, duke e akuzuar BE-në që nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim.

“Ne jemi dëshmitarë se ushtria kosovare po formohet. Shumë shtete evropiane po ndihmojnë Kosovën me armatime. Ka përpjekje edhe për të përfshirë edhe Shqipërinë në mbrojtjen e përbashkët sikurse Rezoluta 1244 të mos ekzistonte”, ka thënë ai.

Historikisht mbledhjet e Këshillit të Sigurimit kanë qenë një dëshmi shtesë sa i përket aleancës në qëndrime të shtetit rus me atë të Serbisë./SHQIP.com/

/Shqip.com