Rusia vazhdon goditjet e qyteteve ukrainase me raketa

Raketat ruse

Në orët e para të së shtunës, raketat ruse goditën dy qytete – Poltava dhe Kremenchuk në Ukrainën qendrore, shkroi Dmitry Lunin, kreu i rajonit të Poltava, në një postim në internet.

Ai tha se infrastruktura dhe ndërtesat e banimit u goditën, por ai nuk kishte vlerësime për viktima.

Më herët, ndërsa sirenat u dëgjuan në të gjithë Ukrainën para agimit të së shtunës, ushtria ukrainase raportoi sulme ajrore ruse në qytetet Sievierodonetsk dhe Rubizhne në Luhansk.

Në atë rajon lindor dhe në Donetsk fqinj, separatistët pro-rusë shpallën republika separatiste që Moska i njohu pak para pushtimit të saj, raporton “Reuters“.

Ushtria ukrainase tha gjithashtu se mbrojtësit zmbrapsën sulmet e shumta në Luhansk dhe Donetsk të premten dhe se njësitë ruse në Luhansk kishin humbur 800 trupa vetëm gjatë javës së kaluar.

Qyteti i Odesës i goditur nga raketat ruse

Tre raketa ruse të lëshuara nga Krimea, gadishulli jugor i Ukrainës i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, goditën një lagje banimi të portit të Odesës në Detin e Zi, duke shkaktuar viktima, tha të premten guvernatori i Odesës, Maksym Marchenko.

Por zyrtarët në Odesës thanë se mbrojtja kundërajrore pengoi një sulm në infrastrukturën kritike.

Shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths do të udhëtojë në Moskë të dielën dhe më pas në Kiev, ndërsa OKB-ja ndjek një armëpushim humanitar