Rusia teston një raketë bërthamore

Rusia të mërkurën kishte kryer një testim të raketës balistike ndërkontinentale Sarmat.

Kjo është një shtesë e re në arsenalin bërthamor të Rusisë, për të cilin presidenti, Vladimir Putin, tha se do t’u jepte armiqve të Moskës diçka për të menduar, shkruan Reuters.

Putin u shfaq në televizion duke thënë se raketa ishte lëshuar nga Plesetsk në veriperëndim të vendit dhe goditi objektivat në gadishullin Kamchatka në lindjen e largët.

“Kompleksi i ri ka karakteristikat më të larta taktike dhe teknike dhe është i aftë të kapërcejë të gjitha mjetet moderne të mbrojtjes kundër raketave. Ai nuk ka analoge në botë dhe nuk do të ketë për një kohë të gjatë”, tha Putin.

Sarmat ka qenë në zhvillim prej vitesh dhe kështu nisja e tij testuese nuk është një surprizë për Perëndimin, por vjen në një moment tensioni ekstrem gjeopolitik për shkak të luftës tetë-javore të Rusisë në Ukrainë./Shqip.com