Rusia bombardon xhaminë që strehonte 80 persona në Mariupol
Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin port jugor të Ukrainës, Mariupol, ku më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, janë strehuar, thotë ministria e jashtme e Ukrainës.
Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka refuzuar të lejojë njerëzit të dalin nga Mariupol, ku një bllokadë ka lënë qindra mijëra njerëz të bllokuar.
Rusia fajëson Ukrainën për dështimin e evakuimit, raporton BBC.
Ministria e Jashtme e Ukrainës shkruan në Twitter se xhamia e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm në Mariupol është granatuar nga “pushtuesit rusë”.
“Më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë janë fshehur atje nga bombardimet, duke përfshirë shtetas të Turqisë”, thuhet në të.
Nuk ka detaje për persona të vrarë apo të plagosur.
Moska ka mohuar se ka shënjestruar zonat civile.