Reagon Grupi i Grave Deputete për vrasjen e gruas shtatzënë

Grupi i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës ka reaguar për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.

Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, në reagimin e grave deputete thuhet se ato janë të shqetësuara dhe të mërzitura për rastin dhe se duhet të punohet më shumë lidhur me evitimin e rasteve të tilla.

“Ende jemi të shqetësuara, tronditura dhe të mërzitura për gruan shtatzëne të vrarë mbrëmë, pikërisht në oborrin e spitalit ku kishte shkuar për ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Si Grup i Grave Deputete, i përbërë prej të gjitha partive parlamentare bashkëndjejmë secila njëjtë. Si Kuvend kemi miratuar unanimisht Konventën e Stambollit që e dënon çdo dhunë ndaj grave. Kemi folur e diskutuar shumë herë. Por duhet të bëjmë edhe më shumë. Të bashkëpunojmë për këtë kauzë”, thuhet në reagim.

Në këtë reagim thuhet se Qeveria duhet të ndërmarrë çdo masë dhe zingjiri i sigurisë duhet të jap përgjegjësi për neglizhencën.

“Ndërhyrja duhet të jetë e shumanshme. Qeveria duhet të ndërmarrë çdo masë që ka në kompetencë sa më shpejt që është e mundshme. Zingjiri i sigurisë duhet të japë përgjegjësi për neglizhencën meqë viktima kishte njoftuar për rastin dhe kishte kërkuar mbështetje e siguri. Respektimi i të drejtave të grave të bëhet pjesë e edukimit arsimor. Ndërkohe përshëndesim reagimin mbarë shoqëror. Kurse ne në Kuvend të rishikojmë e shtojmë çdo ligj që është i nevojshëm dhe të flasim gjithmonë”.

Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se ëshët ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhërit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Thirrjet e protestuesve ishin nga më të ndryshmet: Me pankartat “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”,  “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”.