Rama shpall fitoren: Zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunën e Prishtinës, Përparim Rama, e ka shpallur fitoren e tij në një konferencë për media, duke iu drejtuar elektoratit si kryetar i kryeqytetit.

Ai tha se rezultati i deritanishëm i bërë publik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregon se votuesit e Prishtinës janë emancipuar “duke dashur më të mirën për vendin dhe për njëri tjetrin”.

“Emocionin e kësaj fitore nuk mund ta përshkruaj me fjalë, kjo është fitorja e secilit banor pa dallime, vota jote sot tregon që jemi të emancipuar për ta dashur më të mirën për vendin tonë dhe për njëri tjetrin. Vota jote sot më fuqizon me privilegjin për të qenë kryetar i kryeqytetit që duke qenë i krejt Kosovën, duhet ta llogarisim të gjithë Kosovën në planifikimin e vetë të gjithëmbarshëm komunal”, u shpreh Rama.

Ai më tej tha se përgjegjësinë do ta marrë më primare se privilegjin.

“Unë Përparim Rama kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve”, u shpreh Rama.

Ai më tej falenderoi Lidhjen Demokratike dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun, tha se “kjo është fitorja e guximit dhe e transformimit”.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale i quajti një arritje për ekipin e tyre, sidomos për rezultatet në kryeqytet që e nxjerrin të parin Përparim Ramën.

“Kthimi I kryeqytetit pas 8 vitesh, është rezultat i shkëlqyeshëm dhe arritje e madhe për ekipin tonë”, tha ai.

Abdixhiku më tej e shpalli fitoren e LDK-së edhe në pesë komuna të tjera.

“Qytetarë të Prishtinës, në bazë të të dhënavë të konfirmuara tashmë të vëzhguesve tanë më lejoni t’i shpallë edhe fitoret në Istog, Fushë Kosovë, Viti, Junik dhe Dragash. Në Prishtinë do të kujdestarojmë me këtë kujdesdhe përgjegjësi. Përparimi me ekipën e tij do të shërbejë si një kryetar që e kemi pritur kaherë”, ka thënë Abdixhiku.