Rama për situatën në Kosovë: Asgjë e re, shfaqja zgjati më shumë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur lidhur me situatën në veri të Kosovës duke përfshirë tensionet, vendosjen e barrikadave dhe largimin e tyre.

Përmes disa postimeve në Twitter, Rama e këtë situatë e quan asgjë të re vetëm një shfaqje e cila zgjati më shumë.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë”, shkroi Rama.

Sipas Ramës, e vetmja gjë e re nga kjo situatë, është kuptimi i ‘ri’ i barrikadave.

“Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare! Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes”.

Barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të largohen. Në pamjet e transmetuara, shihen persona që kanë filluar të lëvizin kamionët nga pjesët ku kanë qëndruar për më shumë se dy javë.

Ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që ditën e djeshme ka paralajmëruar se të enjten do filloj largimi i barrikadave në Kosovë. Ai shtoi se largimi i tyre mund të zgjas për 24 ose 48 orë.

Bllokimi i rrugës, si pasojë e barrikadave ka shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tash e më shumë se dy javë mbeten të mbyllura.

Ishte 10 dhjetori kur u bë vendosja e parë e barrikadave, në zonat afër Zveçanit dhe në Leposaviq.

Qëllimi ishte që të bllokohet rruga për të transferuar nga stacioni në Leposaviq, ish-policin serb që ishte arrestuar, Dejan Pantiq.