Rama i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, ka ardhur edhe reagimi nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në Twitter, Rama i ka kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit.

“Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët” ka shkruar Rama.

Më tutje Kryeministri shqiptarë, ka dhënë edhe mbështetje për planin franko-gjerman.

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG” ka shkruar Rama më tutje.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia po orkestron situate të tilla në Kosovë për të maskuar refuzimin e planit franko-gjerman.

Përmes një konference për media, Kurti tha se drama e Serbisë nuk duhet të shndërrohet në tragjedi.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për ta refuzuar planin por qëllimi i tyre është maskimi i planit. Pra ata e kanë refuzuar planin dhe tani i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi për ta maskuar refuzimin”, tha Kurti.

I pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti tha se që nëntë vite e jep përgjigjen e njëjtë.