Rama i del në mbrojtje Kurtit pas marrëveshjes për targat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dalur në mbrojtje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit lidhur me marrëveshjen e fundit me Serbinë për targat.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka thënë që nuk është aspak dakord me sulmet që po iu bëhen Kurtit.

“S’jam aspak dakord me sulmet ndaj Albin Kurtit pas marrëveshjes së duhur që fatmirësisht mbylli shtegun e rihapur të zhvillimeve të paparashikueshme!”, shkroi Rama.

Tutje, Rama bëri një krahasim në mes kohës kur Kurti ishte në burg dhe tani.

“Ta sulmosh Albinin pse u soll si kryeministër është njësoj si t’i kërkosh hesap pse nuk mendon e flet njësoj si kur ishte në burg!”.

Kujtojmë se Kurti ka marrë shumë kritika lidhur me marrëveshjen e arritur për targa në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Por disa të tjerë e kanë cilësuar si shkak të uljes së tensioneve të krijuara për disa muaj në Kosovë.

Kjo marrëveshje parasheh ndalimin e veprimeve të mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për shoferët që vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Ndërsa, pala serbe obligohet që të moslëshojë targa për serbët që jetojnë në Kosovë.