Rama: Historia e njëjtë me luftën në Kosovë, na bën ta ndjejmë dhimbjen e Ukrainës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit në Parlament ka thënë se historia e afërt me shqiptarët e Kosovës që u shpërngulën dhunshëm nga trojet e tyre dy dekada më parë, i ndihmon qytetarët e Shqipërisë që ta kuptojnë dhimbjen që po e përjeton Ukraina.

“Historia jonë e afërt ku gjysmë milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehën në Shqipëri, na ndihmon ta ndjejmë nga larg dhimbjen e Ukrainës”, tha Rama.

Pas adresimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-lidhje, Rama tha Shqipëria dhe Kosova e kanë mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e pushtimit nga Rusia.

“Qysh prej orës të parë të agresorit rus në Ukrainë, jo vetëm ne por e gjithë Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë i gjithë kombi ynë përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën jemi rreshtuar krahë jush me zemër me mendje dhe me çdo gjë kemi mundur. Shqipëria është një vend shumë herë më i vogel se Ukrainë zotëri president mundësitë tona për të ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste. Krahasur me madhësinë marramendëse të sfidës suaj”, u shpreh ai.

Zelensky ka thënë se është mirënjohës ndaj Shqipërisë që nuk ka hezituar ta mbështesë që nga dita e parë e luftës.

Ai ka thënë se ky qëndrim i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën ta kujtojë Nënën Terezë.

“Ajo mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqën. Unë besoj që së bashku me të gjithë evropianet do të jemi në gjendje ta ndalim këtë luftë”, ka thënë Zelensky.

Zelensky po i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë – nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.