Quni: Siç thoshte Presidenti Rugova – vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Ai ka kujtuar edhe një fjali të ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugovës, i cili duke ju drejtuar qytetarëve kishte thënë “vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni, sepse duke përmbushur këtë obligim ne tregojmë pjekuri, aktivizëm dhe demokraci qytetare”.

Këto deklarata Quni i ka bërë në Facebook, pasi ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar.

“Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të gjithë ne, sepse me votë po i japim drejtimin katërvjeçar komunës tonë. Së bashku me bashkëshorten Mirjanën dhe nënën Albinën, sapo votuam që Prizreni dhe gjithë komuna të ketë të ardhme më të mirë e më të ndritshme”.

“Ftoj të gjithë qytetarët e komunës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Siç e thoshte, Presidenti historik Rugova, vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni, sepse duke përmbushur këtë obligim ne tregojmë pjekuri, aktivizëm dhe demokraci qytetare. Qoftë e bardhë dhe e mbarë kjo ditë!”, ka shkruar ai.