Qeveria del me deklaratë pas takimit, Kurti prezantoi disa kapituj të marrëveshjes që duhet të bëhet me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Në deklaratën e tyre thuhet se kishte dy tema në agjentë dhe ky takim është shtyrë, pasi është paraparë që të mbahet me 19 korrik.

Sipas Qeverisë, gjatë takimit Kurti ka kërkuar që marrëveshja ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë marrëdhënieve, duke prezantuar disa kapituj për kornizën e saj.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik./SHQIP.com