Qëndron Kastrati e pranon se u sulmua

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati, i cili është edhe kryetar aktual i kësaj komune, thotë se është sulmuar gjatë mbrëmjes të së shtunës në Karaqevë të Poshtme.

Sulmin që pretendohet se ka ndodhur mbrëmë, Kastrati e ka pranuar për Gazetën Shqip.com., duke njoftuar se ka hapur edhe rast në polici për të.

“Është e vërtetë ajo që ka dalë në rrjetet sociale. Dje në Karaqevë të Poshtme më kanë sulmuar rreth orës 22:40. Kam hapur rast në polici”, tha ai.

Teksa njofton se rasti është raportuar në organet e rendit, ai thotë se policia të njëjtit i ka liruar pas intervistimit.

Duke thënë se videoja e publikuar mbrëmë gjatë kohës kur dyshohet se ka ndodhur sulmi, është e vërtetë, Kastrati njoftoi se gjatë së dielës të njëjtit persona dyshohet se kanë sulmuar edhe një mbështetës të tij.

“Unë dëgjova se para një ore e kanë sulmuar edhe një person tjetër që është mbështetës i imi. Unë e kam hapur rastin në polici dhe policia i kanë marrë në pyetje ata persona, por më pas i kanë liruar. E kam hapur rastin dhe ajo video është e vërtetë”, tha më tej ai.

Rasti i cili është cilësuar si “sulm”, është konfirmuar edhe nga policia, të cilët ende janë në fazën e hetimit të asaj se sa persona ishin të përfshirë dhe se për çfarë motive ka ndodhur rasti.

Kështu thotë për redaksinë, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

 I pyetur për sulmin të cilin Kastrati tha se dyshohet se ka ndodhur sot, Hashani tha se nuk ka informacione që të dielën është raportuar për një tjetër sulm në këtë zonë.

“Është cilësuar si sulm dhe është duke u hetuar rasti. Jemi në process ku nuk dihet saktë sa persona kanë qenë dhe motivet e rastit. Nuk kemi informata që ka raportuar dikush për një sulm tjetër sot”, tha ai.

Fillimisht, sulmi ndaj Kastratit u bë o ditur nga Shefi i Shtabit të tij, Arianit Ibrahimi, i cili ka postuar në llogarinë e tij në Facebook detaje se si ka ndodhur sulmi.

Ai thotë se një grup kriminal i udhëhequr nga Bujar Fera dhe Besim Fera (burri i kandidatës së VV-së) kishte vendosur postbllok në Karaqevë të Poshtme.

“Ata kontrollonin secilën veturë që qarkullonte andej. Para se të sulmonin kryetarin, të njëjtit kishin sulmuar fizikisht edhe mbështetësin tonë, Mehmet Shala e Albrim Kastratin, në të njëjtin postbllok”, ka shkruar Ibrahimi.

“Por me gjasë ky nuk është material i mjaftueshëm për policinë sepse të njejtit sulmues fare nuk jane derguar në mbajtje e as nuk është shqiptuar ndonjë mas kundrejt tyre”, njoftoi më tej ai.