Putini thotë se sanksionet perëndimore janë të ngjashme me shpalljen e luftës

Vladimir Putin

Presidenti, Vladimir Putin tha të shtunën se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë të ngjashme me shpalljen e luftës dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të vendosur një zonë mbi të cilën ndalohen fluturimet në Ukrainë do të ishte e barabartë me hyrjen në konflikt.

Putin përsëriti se qëllimet e tij në Ukrainë janë të mbrojë komunitetet rusisht-folëse përmes “çarmatimit dhe denazifikimit” të vendit në mënyrë që ai të bëhet neutral, raporton MSN nga Reuters.

Ukraina dhe vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë si një pretekst të pabazë për pushtimin që ai e filloi më 24 shkurt dhe kanë vendosur një gamë të gjerë sanksionesh që synojnë izolimin e Moskës.

“Këto sanksione që po vendosen janë të ngjashme me një shpallje lufte, por falë Zotit nuk ka ardhur deri atje,” tha Putin, duke folur me një grup grash stjuardese në një qendër trajnimi Aeroflot pranë Moskës.

Ai tha se çdo përpjekje nga një fuqi tjetër për të vendosur një mbi të cilën ndalohen fluturimet do të konsiderohej nga Rusia si një hap në konfliktin ushtarak.

NATO ka refuzuar kërkesën e Kievit për një zonë mbi të cilën ndalohen fluturimet, me arsyetimin se kjo do të përshkallëzonte luftën përtej Ukrainës.

Putin tha se nuk kishte asnjë rekrut të përfshirë në operacionin ushtarak, të cilin ai tha se po kryhej vetëm nga ushtarë profesionistë.

“Nuk ka asnjë rekrutë dhe ne nuk planifikojmë të ketë”, tha Putin. “Ushtria jonë do t’i përmbushë të gjitha detyrat. Unë nuk dyshoj fare në këtë. Gjithçka do të jetë sipas planit.”

Putin hodhi poshtë shqetësimet se mund të shpallej gjendje ushtarake ose emergjente në Rusi. Ai tha se një masë e tillë do vendosej vetëm kur të ekzistonte një kërcënim i madh i brendshëm apo i jashtëm.

“Ne nuk planifikojmë të vendosim asnjë lloj regjimi të veçantë në territorin rus – aktualisht nuk ka nevojë”, tha Putin.

Qeveria e tij ka shtypur protestat në Rusi kundër luftës.