Putin: Rusia e gatshme të ndihmojë me krizën ushqimore nëse Perëndimi heq sanksionet

Moska është e gatshme të japë një “kontribut të rëndësishëm” për të shmangur një krizë globale ushqimore nëse Perëndimi heq sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.

Gjatë një bisede telefonike Presidenti rus, Vladimir Putin, me kryeministrin e Italisë Mario Draghi tha se Rusia mund të ndihmojë në këtë aspekt, shkruan BBC.

Putin foli gjithashtu për “hapat e ndërmarra për të garantuar sigurinë e lundrimit, duke përfshirë hapjen e përditshme të korridoreve humanitare për daljen e anijeve civile nga portet e Azov dhe Detit të Zi, të cilat pengohen nga pala ukrainase”, tha Kremlini në një deklaratë pas thirrjes.

Fermerët ukrainas kanë 20 milionë tonë drithë që nuk mund t’i arrijnë në tregjet ndërkombëtare dhe një korrje e re është gati të fillojë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e ka përshkruar më parë si “shantazh” ofertën e Rusisë për të hequr bllokadën e porteve të Detit të Zi ukrainas, në këmbim të heqjes së sanksioneve./Shqip.com