PSD me aksion, lyhen me ngjyrë të zezë xhamat e Qeverisë

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion simbolik tek Qeveria e Kosovës.

Aktivistët e kësaj partie kanë lyer xhamat e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me ngjyrë të zezë.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tha se arsyeja e ngjyrosjes së xhamave të Qeverisë është se ajo çfarë ka brenda saj nuk shihet jashtë.

“Kryeministër i territ informativ. Dritaret e kësaj qeverie i ngjyrosëm me të zezë sepse ajo çfarë ka brenda nuk shihet jashtë. Dialog jodemokratik e jotransparent. Dialog i mbyllur. Qeveri që mirëmbanë terr informativ për qytetarët e mediat. Nuk njeh Kosova situatë të tillë, që nga paslufta. Ndërtesa e qeverisë është bërë hapësirë e bunkerizuar që ikë nga publiku”, shkroi Molliqaj.

Sipas Molliqajt, kryeministri i Kosovës dhe zëvëndëskryeministri kanë qenë në pjesëmarrës në dialog të fshehtë në Bruksel.

“Jemi në dijeni që prej vitit të kaluar e deri më sot Kurti e Bislimi kanë qenë pjesëmarrës në dialog të fshehtë në Bruksel. Kulminacioni i këtij dialogimi është propozimi franko-gjerman. Publiku asnjëherë nuk u njoftua për përmbajtjen e këtij propozimi përmes kanaleve zyrtare të qeverisë. E pastaj na thonë pse po spekuloni mbi spekulime. Atëherë po komentojmë mbi këtë terr informativ në të cilin është vendosur qytetari”.

Sipas Molliqajt, thirrja e tyre është e qartë: Dialogu duhet të jetë i hapur, gjithëpërfshirës e transparent. Rezultati i tij duhet të sjellë marrëveshje përfundimtare me njohje e paqe.