Prokurori thotë se janë disa pista të hetimit, Policia: Dyshohet për një autor të sulmit në Gllogjan
Prokurori i rastit në ngjarjen e ndodhur gjatë pasdites së sotme në Gllogjan, ku tre persona mbetën të vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një autobusi, ka bërë të ditur se janë disa pista të ndryshme të hetimit, transmeton Shqip.com.
Ai tha se deri më tani nuk dihet për ndonjë motiv të caktuar që ka mundur të çojë deri në ngjarjen ku mbetën të vrarë tre persona, por se janë duke punuar në zbardhjen e autorëve të mundshëm të krimit.
“Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin s’kemi motiv të caktuar dhe s’kemi informata që të ndajmë me ju”, ka thënë ai derisa bëri të ditur ai para mediave.
“Nuk mund të flasim as për numrin e personave të dyshuar, por vetëm jemi duke punuar në drejtim të identifikimit të kryerësve të këtij krimi tragjik”, shtoi më tej ai.
Ndërkaq, Veton Elshani – zëvendësdrejtor i Policisë në Pejë, në një lidhje direkte për KK tha se dyshohet se është një person i përfshirë në këtë krim, por se nuk dihen motivet.
Dy nxënës dhe shoferi i një autobusi kanë mbetur të vrarë pas një sulmi me armë zjarri në Gllogjan të Deçanit, ndërsa një nxënës tjetër është i plagosur, por se tashmë është jashtë rrezikut për jetë. /Shqip.com