Petritsch: Zbatimi i Marrëveshjes çon në normalizim dhe njohje  

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, njëherësh ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-Përfaqësues i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, thotë se suksesi i arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen drejt normalizimit, do të varet nga zbatimi ose jo i saj.

Petritsch tha se takimi i Ohrit mund të konsiderohet “një lloj progresi drejt normalizimit” të raporteve, pavarësisht se palët nuk nënshkruan tekstin e ofruar nga ndërmjetësuesit e BE-së.

“Le të fillojmë me anën pozitive. Aty pamë një lloj progresi. Ndoshta jo çfarë kemi shpresuar, por në të njëjtën kohë më shumë sesa ne i frikësoheshim. Aty nuk pati një dështim të negociatave. Pra, asnjëra palë nuk u largua nga tavolina, por, në anën tjetër, kjo tregon se sa e vështirë dhe komplekse është e gjithë çështja”.

Ai thotë se zbatimi i marrëveshjes është çështja kryesore.

“Ne duhet të shohim se si do të zbatohet kjo që është vendosur në Ohër. Mendoj se zbatimi është çështja kryesore. Ne e dimë nga e kaluara, ndonjëherë ato që njëra palë është përpjekur t’i zbatojë, ana tjetër nuk e ka bërë, dhe anasjelltas. Kështu që, unë mendoj se tani ajo që është e rëndësishme është që negociatorët e Bashkimit Evropian të mbajnë këtë momentum të progresit të arritur, progresit thelbësor, por gjithsesi se kjo duhet të pasohet me takime të mëtejshme”, raporton REL.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, pas shumë orëve diskutime në Ohër, Josep Borrell ka mbajtur një konferencë në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, janë pajtuar për rrugën e negociatave.

“Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, tha Borrell.

Borrell tha se Kosova pajtohet që të nis negociatat me BE-në për të bërë Asociacionin. “U është bërë e qartë se rruga e tyre e integrimit varet nga respektimi i marrëveshjes”, tha tutje ai.

Ai bëri të ditur se nuk ka asnjë rrugë tjetër për t’ju bashkuar BE-së pa i normalizuar marrëdhëniet mes vete Kosova dhe Serbia.