Petkoviq: Pantiq ka probleme me zemër, nuk po e merr trajtimin e nevojshëm

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është duke i ofruar Dejan Pantiqit ilaçet e nevojshme mjekësore.

Sipas Petkoviqit, Dejan Pantiq ka realizuar së fundi një operacion në zemër dhe i duhet që të marrë terapi.

“Për të katërtën ditë, Dejan Pantiç nuk ka ilaçe, prandaj jeta e tij është në rrezik! Për të katërtën ditë, Albin Kurti nuk lejon që një pacient i rëndë i zemrës, i cili kohët e fundit i është nënshtruar një operacioni, të marrë terapinë e nevojshme! Familja e tij nuk mund të kontaktoj me të. A ja din dikush të drejtën e jetës? A ke të drejtë të trajtohesh?”, tha Petkoviq.

Petkoviq kërkon që ilaçet e Dejan Pantiqit t’i dorëzohen përpara se të jetë shumë vonë.

“Apo të gjitha këto të drejta i mohohen atij vetëm sepse ai është një serb? Le të dorëzohen ilaçet e Dejanit para se të jetë shumë vonë! A e sheh dikush në Evropë abuzimin e Kurtit apo sheh vetëm barrikada?”.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.