Përfundon seanca ndaj Mustafës, vazhdon të mërkurën me pyetjet e avokatit

Pjesa e tretë e seancës së sotme ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është zhvilluar me pyetjet e avokatit të Mustafës, përcjell Shqip.com.

Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes për ditën kur ai pretendon që është marrë nga disa persona, si dhe për qëndrimin në Zllash.

“E lidhi atë datë se me 18 ka ra ofensiva, për atë e di. Ka qenë në Zllash ofensiva, në Zllash më 18 dhe na kanë liruar, dhe na kanë liruar shkaku i ofensivës. Na liruan, na thanë ikni se ofensiva ra…Unë nuk e kam parë ofensivën, por na kanë thënë aty kur kemi dalë jashtë, ikni se ofensiva ra e nuk dimë na kah të shkojmë”, ka thënë dëshmitari.

Avokati i Mustafës, Julias Von Bone, e ka pyetur dëshmitarin nëse e ka parë ofensivën dhe sa kohë i është dashur që të arrijë në vendin e tij të banimit.

“Mu kanë dashur krejt diku 5-6 orë krejt… Kam harruar, më duket në orën 11:00 ka qenë (kur na kanë liruar)”, ka thënë dëshmitari.

Kurse, për momentin e ndalimit, dëshmitari tha se personat i janë prezantuar si policë ushtarakë dhe ka theksuar se i kanë thënë që të shkojë me ta deri në Zllash meqë kanë diçka të bisedojnë.

Dëshmitari ka thënë se e ka pasur kokën në thes që prej momentit kur e kanë futur në makinë.

Avokati Von Bone: Sa ka zgjatur udhëtimi

Dëshmitari: Me thënë nja 20 minuta, më shumë nuk u kanë.

Avokati Von Bone: Kush ta bëri këtë?

Dëshmitari: Ai personi me kapelë të kuqe

Avokati Von Bone: Nuk ishte ky ai që po ngiste kerrin, ky personi me kapelë të kuqe

Dëshmitari: Jo kerrin i ka grah tjetër kush, ky me kapelë të kuqe u kanë ulë aty bashkë

Avokati Von Bone: A mund të përshkruash atë njeri (me kapele të kuqe)

Dëshmitari: Tybe nuk di me ta parashkrua e kam pasur thesin në krye

Avokati Von Bone: Po nga e di ti që kishte kapelë të kuqe atëherë

Dëshmitari: E di kur ka ardhur kerri kam hy ne kerr, e kam pasur një minutë ose dy, e ka pasur një kapelë me uniformë ka qenë ai, edhe shoferi ka qenë me uniformë, më shumë nuk di.

Avokati: Për aq pak sa e pe, a mund ta përshkruash, arrin ta përshkruash?

Dëshmitari: Jo

Avokati Von Bone: Po shi, a ka ra ndonjë ditë?

Dëshmitari: Tybe nuk e di, nuk kam parë kurrë, nuk e di nuk më kujtohet.

Avokati Von Bone: Si i kuptoje ditët që kalonin, si e dallojë njërën ditë nga tjetrën.

Dëshmitari: Unë nuk e kam ditë ku jam, as çfarë dite është as sa ora është, derisa kam dalë atë ditë më 18-in unë nuk kam ditë asgjë.

Pjesën e tretë të seancës së sotme, i akuzuari Salih Mustafa e ka përcjellë përmes video-lidhjes, diçka që i është lejuar nga trupi gjykues.