Pasivizimi i listave, Mustafi: Të reagoj BE-ja, 6 mijë persona nuk janë pak

Pasivizimi i listave në zgjedhjet e 3 prillit, po cilësohet si veprim antikushtetues, anticivilizues dhe antinjerëzor nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi.

Mustafi në një intervistë për SHQIP.com, duke folur për këtë temë tha se këtij veprimi, Serbia duhet t’i japë fund.

“ Nuk kemi pasur kërkesë nga Bashkimi Evropian, drejtpërdrejt për t’u ndërprerë si proces dhe në radhë të dytë për t’i rikthyer të gjithë atyre që iu janë pasivizuar adresat në mënyrë që të krijonin hapësirën e barazisë. Sepse pasivizimi në vetvete nuk është problem, por pasjoat e pasivizimit të cilat lënë qytetarët pa mjete identifikuese, pa leternjoftim dhe pa pasaportë kjo është shkelje e drejtpërdrejt edhe e ligjeve brenda Serbisë edhe shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Kjo është antikushtetues, anticivilizues dhe madje anti njerëzor një çasje e tillë të ndodh në shekullin 21 të ndodh në Ballkanin Perëndimor i cili pretendon që nesër të jetë pjesë e Bashkimit Evropian’’, u shpreh ai.

E reagim kërkon të ketë edhe nga Bashkimi Evropian.

Duke komentuar deklaratën e zëdhënësit të BE-së,  Peter Stano dhënë për SHQIP.com, Mustafi tha se Serbisë duhet t’I kërkojnë që ta rregullojë këtë çështje.

“Sigurisht, Bashkimi Evropian do duhej t’i kërkonte Serbisë t’i rregullojë këto çështje sepse rreth 6 mijë veta nuk janë pak e aq më tepër për një komunitet i cili është atakuar drejt për së drejti”, u shpreh ai.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka proceduar 98,49 për qind të vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare, ku shqiptarët nuk do të përfaqësohen në parlament.

Sipas rezultateve të fundit, “Koalicioni i Shqiptarëve” i Shaip Kamberit ka marrë deri më tani besimin e 0.26 për qind të qytetarëve, gjegjësisht ka 9,651 vota, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë deputet.

Gjithashtu edhe lista tjetër e shqiptarëve e kryesuar nga Shqiprim Arifi, “Alternativa për Ndryshim” ka marrë besimin e shumë pak votuesve. Ajo deri më tani ka 0.09 për qind apo 3, 273 vota, që do të thotë se do të mbetet jashtë Kuvendit./Shqip.com