Pacolli: Vetëvendosje do t’i fitojë komunat kryesore pa balotazh, përfshirë Prishtinën

Fitore Pacolli në konferencë për media

Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje, është shprehur e bindur se kjo parti do të fitojë komunat më të mëdha të Kosovës pa balotazh, ndërsa në shumicën e komunave tjera do të shkojë në balotazh, njofton Shqip.com.

Kështu u shpreh ajo në një konferencë të mbajtur për media pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet për asamble komunale.

E pyetur se ku bazohet që thotë se Prishtina do të qeveriset nga Arben Vitia në këto zgjedhje, pa shkuar në balotazh, ajo tha se ka të dhëna që në kryeqytet janë të parët.

“Rezultatet finale do të tregojnë saktë se LVV do të dalë fuqishëm fituese në komunat kryesore, ndërsa do të dalë në balotazh në shumicën prej komunave”, ka thënë Pacolli.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, Pacolli thotë se Lëvizja Vetëvendosje është shumë më lartë në këto zgjedhje, duke u renditur partia e parë.

“Rezultatet finale do të tregojnë bindshëm që do të jemi partia e parë në nivel lokal krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017”.

“Krahasimet bëhen me zgjedhjet në nivel lokal. Në krahasim me zgjedhjet në vitin 2017, ne jemi partia e parë tani”.

“Në Prishtinë jemi bindshëm të parët, kemi të dhëna që në kryeqytet jemi të parët dhe do të fitojmë pa balotazh”, ka thënë ajo.