Pacolli për uniformën e UÇK-së: Është vjetru por edhe një herë kryen punë

Selim Pacolli

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca Kosova e RE (AKR), Selim Pacolli, ka thënë se këtë vit mund të ketë një dimër të rëndë.

Në faqen e tij zyrtare, Pacolli ka postuar një fotografi me uniformen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Po don me na mâr “dimen” i rânë, kurr si dihet! Pak më jan vjetrue, po edhe i her kryjnë punë”, shkruhet në mbishkrimin e fotografisë së postuar nga Pacolli.

Kujtojmë se situate në veri të Kosovës është e tensionuar – Gjatë ditës së sotme kishte protesta atje.

Protestat kanë ardhur si vijim i veprimeve të Listës Serbe e cila që dje bëri thirrje që serbët t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës.

Shumë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës zhveshën uniformat e tyre – Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dha dorëheqje nga posti i ministrit në Kosovë.

Kjo revoltë e serbëve ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka pezulluar nga puna e tij drejtorin e drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.

Gjuriq u shkarkua pasi nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shqiptimin e qortimeve ndaj shoferëve që vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë të cilat konsiderohen ilegale nga autoritetet e Kosovës.

Edhe gjatë ditës së sotme, kanë dhënë dorëheqje pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës në pikat administrative të kalimit kufitar në Jarinjë dhe Bernjak.

Në mesin e të dorëhequrve të kësaj dite janë edhe kryetarët e katër komunave më shumicë serbe në Kosovë.