Osmani në linjë me kërkesën e SHBA-ve për çështjen e barrikadave

Situata në veri dhe heqja e barrikadave ishte tema kryesore e takimit midis presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Në këtë takim, Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur dje, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokal, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë.

Osmani më tutje potencoi se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë.

Më tutje Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.

Gjatë ditës së djeshme ambasadat e SHBA-ve në Prishtinë dhe Beograd kërkuar largimin e menjëhershëm të barrikadave në veri të vendit.