Osmani akuzon Borrellin, thotë se nuk ishte neutral në takimin në Bruksel

Dështimin e Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e taragave e ka komentuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kritikuar Borrelin duke u shprehur se ai nuk ishte neutral në takimin në Bruksel.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën” ka thënë fillimisht Osmani.

Më tutje Osmani ka renditur 15 marrëveshjet të cilat shteti i Serbisë nuk i ka respektuar edhe pse ato janë nënshkruar.

Në mesin e 15-të marrëveshje janë: 1.Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit; 4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës; 13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve; 15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj, ka shtuar më tutje Osmani.