OKB-ja thotë se më shumë se 675 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina pas sulmeve ruse
Rreth 677,000 njerëz janë larguar nga Ukraina në “më pak se një javë” gjatë pushtimit tw Rusisë i cili po vazhdon, tha të martën Zëvendës Komisionerja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Kelly Clements.
“677 mijë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje në më pak se një javë. 150,000 në 24 orët e fundit,” tha Clements në një postim në Twitter, shkruan CNN.
Të martën, Kombet e Bashkuara thanë në një deklaratë se agjencia së bashku me partnerët e saj humanitar kanë nisur “apele urgjente” për donatorët për 1.7 miliardë dollarë për të ofruar urgjentisht “mbështetje humanitare për njerëzit në Ukrainë dhe refugjatët në vendet fqinje”.
“OKB vlerëson se 12 milionë njerëz brenda Ukrainës do të kenë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, ndërsa më shumë se 4 milionë refugjatë ukrainas mund të kenë nevojë për mbrojtje dhe ndihmë në vendet fqinje në muajt e ardhshëm”, tha agjencia në një deklaratë.
Martin Griffiths, shefi humanitar i OKB-së, tha në deklaratë se kjo është “ora më e errët” për popullin e Ukrainës. “Familjet me fëmijë të vegjël janë strukur nëpër bodrume dhe stacione metroje ose vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre nën zhurmën e tmerrshme të shpërthimeve dhe sirenave të vajtimit.
Numri i viktimave po rritet me shpejtësi. Kjo është ora më e errët për popullin e Ukrainës”, tha Griffiths. “Ne duhet të rrisim reagimin tonë tani për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e ukrainasve të zakonshëm.
Ne duhet të përgjigjemi me dhembshuri dhe solidaritet,” shtoi ai. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi tha se “mund të bëhet kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull” në deklaratë.