OKB-ja dërgon ndihmën e parë humanitare në Sumy, Ukrainë

Kombet e Bashkuara njoftuan të premten se së bashku me partnerët e saj në Ukrainë përfunduan karvanin e parë të ndihmave humanitare për qytetin e Sumy, i cili ndodhet në verilindje të vendit.

OKB ka thënë se këto ndihma do të ndihmojnë rreth 35 mijë qytetarë.

“130 tonë metrikë të ndihmës thelbësore përfshijnë furnizime mjekësore, ujë në shishe, ushqime të gatshme dhe ushqime të konservuara që do të ndihmojnë drejtpërdrejt rreth 35,000 njerëz. Përveç këtyre artikujve, kolona solli pajisje për riparimin e sistemeve të ujit për të ndihmuar 50,000 njerëz. ”, tha në një deklaratë të premten Koordinatori i Krizave të OKB-së për Ukrainën Amin Awad.

Furnizimet u siguruan nga Programi Botëror i Ushqimit, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët, si dhe organizata joqeveritare People in Need./Shqip.com