Oficeri ukrainas në Mariupol: Bombat bien çdo 10 minuta

Qyteti i Mariupolit u vu nën bombardime të tjera gjatë të dielës.

Kapiteni Svyatoslav Palamar i Regjimentit të Gardës Kombëtare Azov në Mariupol, ka thënë se bombat në Mariupol bien çdo dhjetë minuta.

“Bombat bien çdo dhjetë minuta; Anijet luftarake të marinës ruse po bombardojnë. Dje ushtarët çaktivizuan katër tanke, si dhe mjete të blinduara”, ka thënë ai, shkruan CNN.

Tutje ai ka thënë se Ukraina ka nevojë për municion, armë antitank dhe mbrojtje ajrore.

Palamar tha se ai dhe luftëtarët nuk do të dorëzoheshin në Mariupol.

Qyteti port i Mariupol, i cili para luftës ishte shtëpia e rreth 450,000 njerëzve, ka qenë pothuajse nën sulm të vazhdueshëm nga forcat ruse që nga fillimi i marsit me imazhet satelitore që tregojnë shkatërrime të konsiderueshme në zonat e banuara.

Rusia është akuzuar vazhdimisht për shënjestrimin e civilëve, me  banorët e bllokuar.

Një zyrtar në qytet tha se  njerëzit kanë frikë  të largohen nga strehimoret e tyre nëntokësore edhe për të marrë gjërat thelbësore.