Nisin hetimet ndaj policisë për rastin e gruas së vrarë në oborrin e QKUK-së

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka filluar hetimet lidhur me lëshimet eventuale nga ana e Policisë së Kosovës për rastin e të dyshuarit Sokol Halili.

Sokol Halili po dyshohet se vrau ish-bashkëshorten shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK gjatë mbrëmjes së djeshme.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka për “Betimi për Drejtësi”.

Beka ka njoftuar se ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy departamente operative në IPK-së – Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve.

Ky grup hetimor është angazhuar për të grumbulluar të dhënat për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë për incidentin në fjalë.

Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Thirrjet e protestuesve ishin nga më të ndryshmet: Me pankartat “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”,  “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”.