Nga Presidenca për Shqip.com tregojnë se kur pritet të mbahen zgjedhjen në katër komunat serbe

Disa nga komunat me shumicë serbe që nga dita e djeshme kanë mbetur pa shef komune.

Kjo pasi që kryetarët e disa prej komunave me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqje nga ajo pozita pasi që Lista Serbe vendosi që të largohet nga institucionet e Kosovës.

E, për shpalljen e zgjedhjeve në këto komuna, për Shqip.com janë deklaruar nga Presidenca.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes” ka thënë Bekim Kupina këshilltar për Media.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar shefi i stafit të kryetarit të kuvendit Ilir Kërçeli.

“Po, mund të ju konfirmojë se deputetet e Listës Serbe sot i kanë dorëzuar mandatet e tyre. Informacione të tjera nuk kam sepse pak më herët me informoi administrata e Kuvendit. E di se ato tashmë janë dorëzuar në administratë”, tha Kërçeli.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.