Negociatat Rusi-Ukrainë të ngrira, Rusia akuzon ukrainasit për deklarata “kontradiktore”

Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës janë aktualisht të ngrira, ka thënë Kremlini të premten, pasi akuzoi Kievin për deklarata “kontradiktore”.

“Negociatat janë ngrirë me vendimin e palës ukrainase,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, shkruan CNN.

Tutje, ai tha se Ukraina vazhdimisht bën deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe se mbetet e pakuptueshme nga ana e Rusisw.

Të enjten, Peskov tha se Moska pret që Kievi të pranojë status quo-në dhe të përmbushë kërkesat e tij territoriale, pas komenteve të ish-sekretarit të shtetit të SHBA-së, Henry Kissinger , që duket se sugjerojnë se Ukraina duhet të pranojë t’i japë Rusisë Krimenë dhe pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak përjashtoi mundësinë e marrëveshjes për një armëpushim me Rusinë dhe tha se Kievi nuk do të pranonte asnjë marrëveshje me Moskën që përfshin cedimin e territorit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka krahasuar deklaratat e Kissinger me qetësimin e Gjermanisë naziste në vitin 1938.