Në katër shkolla të Skenderajt nesër nuk mbahet mësim

Për shkak të vërshimeve dhe reshjeve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Skenderajt ka vendosur që nesër mësimi të mos mbahet në katër shkolla.

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Kastriot Duraku.

“Njoftohen nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se, nesër, ditë e hënë, do të mbahet mësimi i rregullt në shumicën e shkollave të komunës sonë. Ndërsa, mësimi nuk do të mbahet në shkollat: Gjimnazi ” Hamëz Jashari”, ShMLP “Anton Çetta”, Shfmu “Ismet Rrahmani” Aqarevë dhe Shfmu ” Bashkim Sadiku” në Tushilë, të cilat për shkak të dëmeve të mëdha nga përmbytjet nuk kemi arritur ende t’i kthejmë në gjendje normale”, ka shkruar Duraku në rrjetin social në Facebook.

Theksojmë se sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Komunën e Skenderajt e Mitrovicës si zona të prekura nga vërshimet.

Por, ajo të cilën e theksoi Kurti është se ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve.

Tutje, Kurti tha se pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuar.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit tha se Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.