Ndryshe nga Prishtina, LVV listohet e dyta në 6 komunat më të mëdha të Kosovës
Sikurse gara për kryetar komune, edhe në garën për kuvende komunale në Mitrovicë, Partia Demokratike e Kosovës po kryeson me gjithsej 41.10 për qind apo gjithsej katër mijë e 812 vota.
Lëvizja Vetëvendosje po e pason këtë parti me gjithsej tre mijë e 630 vota apo 31 për qind të votave. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës është listuar e treta me gjithsej një mijë e 755 vota apo 14.99 për qind të votave.
Ndryshe nga Mitrovica, në Pejë, Lidhja Demokratike e Kosovës po prin në garën për kuvendin komunal me gjithsej pesë mijë e 903 vota të mbledhura apo 41.12 për qind të votave.
Kjo parti pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 19.85 për qind të votave apo dy mijë e 849 votave të mbledhura.
Teksa kësaj gare në Gjakovë po i prin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me gjithsej tre mijë e 549 vota të mbledhura apo 31.60 për qind të votave.
E renditura e dyta në listë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbledur gjithsej dy mijë e 453 vota apo 22.53 për qind të votave.
Garë e fortë po zhvillohet në Prizren sa i përket Kuvendit Komunal, ku PDK po kryeson me katër mijë e 640 vota. Vetëm me 250 vota më pak, Lëvizja Vetëvendosje është renditur e dyta.
Edhe në Ferizaj Partia Demokratike po kryeson në këtë garë.
Ndryshe nga Prizreni, në këtë komunë PDK ka arritur të shënojë një rezultat dukshëm më të lartë se LVV-ja e cila renditet e dyta.
Me tetë mijë e 768 vota apo 43.13 për qind të votave, PDK ka lënë në vend të dytë LVV-në me katër mijë e 279 vota apo 21.05 për qind.
Ndërkaq, në Komunën e Gjilanit, Lidhja Demokratike e Kosovës po kryeson listën e Kuvendit Komunal me gjithsej 38.63 për qind të votave, duke mbledhur kështu katër mijë e 504 vota.
Lëvizja Vetëvendosje edhe në këtë komunë është listuar e dyta me gjithsej tre mijë e 331 vota apo 28.57 për qind të votave.
Me këtë rast, ndryshe nga komuna e Prishtinës, në komunat më të mëdha të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është vendosur e dyta në listat e që të gjashtë komunave, në rezultatet e para të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.