Ndalohet djali i kandidatit të Junikut, Ruzhdi Shehu

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu

Visar Shehu – djali i kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, është ndaluar për 48 orë.

Rastin për Gazetën Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se i njëjti është ndaluar për veprën “pengim i procesit zgjedhor”.

Për këtë rast është deklaruar në një konferencë për media edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili shprehi shqetësimin e tij për këtë dhe incidentet e tjera në këtë komunë.

“Së fundi e kemi një lajm, ku djali i kandidatit për kryetar të komunës në Junik, nga radhët e LDK-së është ndaluar nga Policia për shkak se në një qendër të votimit ka kërcënuar drejtoreshën e shkollës, respektivisht menaxheren e asaj shkolle”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri

Visar Shehu dyshohet se është ndaluar nga policia pas kërcënimit të tij kundrejt menaxheres së Qendrës së votimit 3101C në Junik.