NATO reagon për heqjen e barrikadave

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior e njohur si NATO, ka reaguar lidhur me vendimin për heqjen e barrikadave nga veriu i Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, NATO ka thënë se mirëpret përpjekjet për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.

“NATO mirëpret përpjekjet për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Ne presim që të gjitha palët t’i përmbahen angazhimeve të tyre. KFOR-i   po monitoron nga afër dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin e saj të OKB-së për të ruajtur lirinë e lëvizjes”, thuhet në reagimin e NATO-s.

Barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të largohen. Në pamjet e transmetuara, shihen persona që kanë filluar të lëvizin kamionët nga pjesët ku kanë qëndruar për më shumë se dy javë.

Ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që ditën e djeshme ka paralajmëruar se të enjten do filloj largimi i barrikadave në Kosovë. Ai shtoi se largimi i tyre mund të zgjas për 24 ose 48 orë.

Bllokimi i rrugës, si pasojë e barrikadave ka shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tash e më shumë se dy javë mbeten të mbyllura.

Ishte 10 dhjetori kur u bë vendosja e parë e barrikadave, në zonat afër Zveçanit dhe në Leposaviq.

Qëllimi ishte që të bllokohet rruga për të transferuar nga stacioni në Leposaviq, ish-policin serb që ishte arrestuar, Dejan Pantiq.