Mustafi: Vetëm 1 për qind janë shpresat për t’u bërë Kamberi deputet

Vetëm 1 për qind janë gjasat që në parlamentin e Serbisë të jetë një zë shqiptar.

Kjo pasi, në zgjedhjet e 3 prillit përveç që përfshirja e shqiptarëve ishte tejet e vogël, aty pati edhe pasivizim të adresave.

Megjithatë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi në një intervistë për SHQIP.com tha se ekzistojnë shpresat për të pasur një deputet në parlamentin e Serbisë.

“Zotëri Shaip Kamberi është në margjinat për tu bërë deputet dhe po besoj që ende nuk ka përfunduar ky proces dhe ka shpresë 1% I cili do të vendos edhe për deputetin shqiptar.

Mandati i tij përhumbet nga votat e serbëve të Kosovës, nga votat e Republika Srpska që votojnë dhe një pjesë e diasporës serbe që kanë votuar. Për të cilat, kontroll total ka presidenti i vendit, zotëri Vuçiq. Megjithatë, përsëritja në disa vendvotime në serbi, edhe në Luginë mund ta ndryshoj komplet këtë process dhe jam shumë i bindur që do ta kemi një deputet shqiptar”, u shpreh Mustafi.

Duke folur për procesin e zgjedhjeve të 3 prillit, Mustafi numëron disa nga faktorët që kanë ndikuar që të ketë për qindje të vogël të shqiptarëve në zgjedhje.

‘’Ka pasur të bëjë se janë krijuar dy lista, e dyta numri i të pasivizuarve i adresave që ka për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike e njëjta ka reflektuar që të ndryshoj edhe  listën unike zgjedhore dhe tre që kemi një diasporë të madhe dhe kemi një numër të madh të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë sepse nga mbi 60 mijë vota, përkatësisht votues që janë në listat unike, numri i të dalëve ka qenë diçka pak më shumë se 15% i cili nuk është i mjaftueshëm që shqiptarët t’i faktorizojë në parlamentin e Serbisë”, tha Mustafi.

Shaip Kamberi, i cili ishte deputet mandatin e kaluar, kishte deklaruar se i duhen edhe 300 vota për të arritur këtë qëllim.

Një gjë e tillë, sipas Kamberit mund të arrihet për shkak se janë ende në numërim 1 për qind e votave në nivel shtetëror.

Theksojmë se partitë shqiptare në Luginën e Preshevës kanë garuar me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.

Në garë janë koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi./Shqip.com