Molliqaj: Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë

Pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës lidhur me planin franko-gjerman ka ardhur edhe reagimi nga kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Përmes një postimi në rrjetin social Molliqaj është shprehur se Kurti duhet të jap përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë.

“Plani franko-gjerman është pranuar. Ishte mohuar ekzistenca e këtij plani. Nuk fliste dot askush. Pastaj zv.kryeministri na tha se ky qenka më afer qëndrimit serb. Ta shfrytëzosh Serbinë si argument është veçse mungesë. Kur nuk ke çfarë të tregosh në mënyrë afirmative, është gjithnjë si prezencë aty Serbia. Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë. Për të sjellur pastaj marrëveshje pa njohje, marrëveshje që normalizon mosnjohjen” ka thënë Molliqaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia po orkestron situate të tilla në Kosovë për të maskuar refuzimin e planit franko-gjerman.

Përmes një konference për media, Kurti tha se drama e Serbisë nuk duhet të shëndrrohet në tragjedi.

“Qëllimi i Beogradit nuk është për ta refuzuar planin por qëllimi i tyre është maskimi i planit. Pra ata e kanë refuzuar planin dhe tani i bëjnë këto drama që nuk duhet të shëndrrohen në tragjedi për ta maskuar refuzimin”, tha Kurti.

Kurti tha se planin franko-gjerman e kanë cilësuar si të duhur.

“Unë e kam vlerësuar këtë marrëveshje. Planin frako-gjerman e kemi parë si të duhur sepse aty kemi koncepte dhe nocione që përdorën janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin përbrenda të ideologjisë së zgjedhjeve të problemeve”.

Më tutje Kurti, deklaroi se disa herë gjatë vitit ka pasur kërcënime nga Serbia se do të tërhiqen nga institucionet e Kosovës.