Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Më shumë armë të NATO-s duhen për të shpëtuar jetë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për më shumë armë nga vendet e NATO-s për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.

Përpara takimit personal me homologët e tij të NATO-s, Kuleba thotë se axhenda e tij është “e thjeshtë” dhe Ukraina ka besim se mënyra më e mirë për të mposhtur Rusinë është me më shumë mbështetje ushtarake, shkruan BBC.

Duke folur me gazetarët përpara takimit, ai thotë se pa furnizime të qëndrueshme dhe të mjaftueshme armësh, fitoret e Ukrainës do të shoqërohen me “sakrifica të mëdha”.

“Unë u bëj thirrje të gjithë aleatëve që të lënë mënjanë hezitimet e tyre, ngurrimin e tyre, për t’i siguruar Ukrainës gjithçka që i nevojitet, sepse sado e çuditshme që mund të duket, sot armët i shërbejnë qëllimit të paqes.”

Kuleba po takohet me homologët e tij të NATO-s në një samit në Bruksel, si pjesë e diskutimeve të tyre për mënyrën më të mirë për të armatosur Ukrainën kundër sulmeve të reja ushtarake ruse që priten në lindje të vendit./Shqip.com