Ministri i Jashtëm i Lituanisë: Nuk mund të paguajmë gazin dhe vajin rus me gjakun e Ukrainës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka vizituar fqinjët e Ukrainës, Poloninë dhe Moldavinë, përpara se të vizitonte Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, anëtarë të NATO-s që dikur u sunduan nga Moska dhe kishin frikë se mund të jenë në radhë të përballen me agresionin rus.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Blinken, Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se “burimet e energjisë që ne importojmë paguajnë për operacionin ushtarak rus. Ne nuk mund të paguajmë naftën dhe gazin me gjakun e Ukrainës”, raporton Reuters.

Blinken u deklarua se “vendosmëria e ShBA-ve ndaj nenit 5 – një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve – është shumë e rëndësishme”.

“Dhe siç ia përsëriti Presidenti Biden popullit amerikan në fjalimin e tij për gjendjen e Bashkimit vetëm disa ditë më parë, ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s nëse sulmohet. Askush nuk duhet të dyshojë në gatishmërinë tonë; askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë”.

Ndërsa presidenti lituanez Gitanas Nauseda duke iu drejtuar Blinken paralajmëroi se “agresioni i pamenduar i Rusisë” mund të çojë në një “luftë të tretë botërore”.

“Parandalimi nuk është më i mjaftueshëm dhe ne kemi nevojë për mbrojtje këtu, sepse përndryshe do të jetë tepër vonë, zoti Sekretar. Putini nuk do të ndalet në Ukrainë nëse nuk e ndalim,” tha Nauseda.

Rusia e quan fushatën që nisi më 24 shkurt një “operacion special” për të cilin thotë se nuk është krijuar për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj dhe për të kapur ata që ajo i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.