Mehaj: Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar rreth qëndrimit të Serbisë pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, duke thënë se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin.
Mehaj është shprehur se qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga bota demokratike perëndimore.
“Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë”, ka shkruar Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së.
“Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë”, ka shkruar ai.
Sipas Mehaj, Kosova në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike.
“Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, rrahu kambanën për të gjithë, se kjo është koha që të dihet se kush është në anën e duhur e kush në atë të gabuar të historisë”, ka thënë ai.