‘Më shumë se 742 mijë njerëz pa elektricitet në Ukrainë’

Ukraina

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka thënë që më shumë se 742 mijë njerëz aktualisht nuk kanë qasje në elektricitet përgjatë vendit.

Ministria tha që situata është më e rënda në rajonin e kontestuar nga Rusia, Donetsk, rajon në lindje, ku më shumë se 133 mijë njerëz janë “plotësisht të ç’kyçur”, raporton BBC.

Ministria shtoi se më shumë se 238 mijë ukrainas janë pa gaz.

Dhjetëra mijëra konsumatorëve iu është kthyer qasja në energji dhe gaz në 23 orët e fundit, tha ministria, por “armiqësitë aktive kanë shkaktuar dëmtime dhe ndërprerje të reja të rrjetit të energjisë”.

Pushtimi rus i Ukrainës ka vazhduar edhe në ditën e 12-të të hënën.

Rusia e quan fushatën që nisi më 24 shkurt një “operacion special” për të cilin thotë se nuk është krijuar për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj dhe për të kapur ata që ajo i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.