Mbrojtja e Gucatit reagon pas Aktgjykimit: Është i gabuar, do ta apelojmë që ta përmbysim

Hysni Gucati në Hagë

Mbrojtja e Hysni Gucatit ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Speciales.

Në një deklaratë për media të ekipit mbrojtës të ish-kreut të OVL-UÇK-së thuhet se dënimi i shqiptuar është përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara dhe se do të ushtrojnë ankesë kundër dënimit.

“Ekipi i mbrojtjes i z.Gucati, e ndan mendimin se aktgjykimi i sotshëm është i gabuar dhe ne do ta apelojmë që ta përmbysim atë. Për më tepër, ne e ndajmë mendimin se dënimi i shqiptuar është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshë. Ne poashtu do të ushtrojmë ankesë kundër dënimit”, thuhet në deklaratë.

Poashtu, në deklaratë thuhet se aktgjykimi fajësues me gjasë do ta lë në burg Gucatin derisa prokuroria të mbyll rastet e tyre për të gjitha aktakuzat tjera aktualisht në Dhomat e Specializuara.

“Në varësi të këtyre ankesave, pasoja e aktgjykimit fajësues dhe e dënimit të shqiptuar është se z. Gucati me gjasë do të ngelet në burg derisa prokuroria të mbyllë rastet e tyre për të gjitha aktakuzat tjera aktualisht në dhomat e specializuara. Është aksiomatike që dënimi duhet të jetë proporcional me sjelljen e të akuzuarit dhe të mos llogaritet me referenca të orareve të rasteve tjera. Trupi gjykues deklaroi se vendimi i tyre është vendim i popullit të Kosovës. Populli i Kosovës e di se ku qëndron e vërteta. Populli i Kosovës e njeh historinë e vet. Ne nuk do të lejojmë që të rishkruhet historia. Aktgjykimi i sotëm nuk është fillimi i fundit-ky është vetën fundi i një fillimi”, thuhet në deklaratën e ekipit mbrojtës të Gucatit.

Theksojmë se Gjykata Speciale sot ka mbajtur aktgjykimin ndaj ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe ish-nënkryetarit të kësaj organizate Nasim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtor me 4 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 100 euro.