Mbretëria e Bashkuar vendos më shumë sanksione kundër qytetarëve rusë dhe bjellorusë

Mbretëria e Bashkuar ka vazhduar të rris sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, njoftoi të martën sanksione të mëtejshme kundër qytetarëve rusë dhe bjellorusë, duke përfshirë “aleatët kryesorë politikë dhe propaganduesit” e Putinit.

Sanksionimi i 370 individëve dhe subjekteve të tjera e çon numrin e përgjithshëm të atyre që janë sanksionuar që nga pushtimi rus i Ukrainës në mbi 1000, tha për CNN një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCO).

Nga individët e sapo sanksionuar, 51 janë oligarkë dhe familjarë të tyre, sipas FCO.

Në total, nëntë oligarkët e sanksionuar të martën sipas Aktit të Krimit Ekonomik kanë një vlerë të përllogaritur të kombinuar prej më shumë se 130 miliardë dollarë, tha FCO, duke cituar të dhënat e Forbes.

Sekretari i shtypit i Putinit Dmitry Peskov dhe zëdhënësja e Punëve të Jashtme ruse Maria Zakharova u përfshinë gjithashtu në raundin e fundit të sanksioneve.

“Ne po shkojmë më tej dhe më shpejt se kurrë në goditjen e atyre që janë më të afërt me Putinin – nga oligarkët kryesorë, te kryeministri i tij dhe propaganduesit që shpërndajnë gënjeshtrat dhe dezinformatat e tij. Ne po i kërkojmë ata të japin llogari për bashkëpunimin e tyre në krimet e Rusisë në Ukrainë. “tha Truss.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit. Të gjithë të sanksionuarit ishin shënjestruar më parë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja ose Australia, tha një zëdhënës./Shqip.com